Ligji i faljes, Tatimet: Fshihen 453 mln euro, përfitojnë 220 mijë tatimpagues
Administrata Tatimore publikon bilancin e faljes fiskale: 453 milionë euro detyrime të fshira për 220,4 mijë tatimpagues.

Nga zbatimi i ligjit për faljen e detyrimeve tatimore kanë përfituar 220,4 mijë tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira ka arritur në 453 milionë euro. Të dhënat janë publikuar nga Administrata Tatimore, e cila ka bërë të ditur ecurinë e procesit të fshirjes dhe shuarjes së detyrimeve sipas kategorive të taksave dhe tatimeve.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) përfaqëson një nga kategoritë me vlerën më të lartë të detyrimeve të fshira, me rreth 140,5 milionë euro. Në vend të dytë renditet tatimi mbi fitimin, me 138,1 milionë euro, ndërsa detyrimet e fshira për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrijnë në rreth 67 milionë euro.
Sipas të dhënave të Tatimeve, rreth 27 milionë euro janë fshirë nga detyrimet për tatimin e mbajtur në burim. Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, vlera e detyrimeve të fshira arrin në 6,3 milionë euro, ndërsa për tatimin mbi të ardhurat individuale në 1,7 milionë euro. Ndërkohë, kategoria “Të tjera” përfshin detyrime të fshira në vlerën e rreth 73 milionë eurove.
Cilat detyrime tatimore përfitojnë nga ligji i faljes?
Ligji parashikon fshirjen ose shuarjen e detyrimeve tatimore në varësi të periudhës së krijimit të tyre dhe kushteve të pagesës. Për detyrimet që u përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve të papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat.
Megjithatë, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal, pra shuma bazë e kontributeve të papaguara.
Për detyrimet tatimore të krijuara gjatë periudhës nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji përcakton dy mundësi për shuarjen e një pjese të detyrimit principal.
Sipas alternativës së parë, shuhet 50 për qind e detyrimit principal nëse 50 për qind e mbetur paguhet njëherësh gjatë periudhës nga 10 qershori deri më 30 qershor 2026.
Sipas alternativës së dytë, shuhet 25 për qind e detyrimit principal nëse tatimpaguesi paguan 75 për qind të shumës së mbetur gjatë periudhës nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Detyrimet e viteve 2020–2024, falen gjobat dhe kamatëvonesat me kushtin e pagesës së principalit
Për detyrimet tatimore që u përkasin periudhave nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, ligji parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesi të paguajë plotësisht detyrimin kryesor.
Konkretisht, për të përfituar nga kjo lehtësi, tatimpaguesit duhet të shlyejnë 100 për qind të principalit për periudhën përkatëse, brenda afatit nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026.
Në këtë mënyrë, ndryshe nga detyrimet e periudhës 2015–2019, për vitet 2020–2024 nuk parashikohet falje e një pjese të principalit, por vetëm e gjobave dhe kamatëvonesave, pas shlyerjes së plotë të detyrimit bazë.
Të dhënat e publikuara nga Administrata Tatimore tregojnë se ligji i faljes ka sjellë deri më tani fshirjen e 453 milionë eurove detyrime për mbi 220 mijë tatimpagues, ndërsa për kategoritë që kërkojnë pagesën e një pjese ose të gjithë principalit, afati i përcaktuar për përfitimin e lehtësive vijon deri më 31 dhjetor 2026.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)